Kontakte Indeksi Përshtypje

logo

BASHKITË / Rrethi Librazhd

Print Email

Vendime te KQE 2017

BASHKIA PRRENJAS

 
Të dhëna të përgjithshme
Zona Gjeografike: Përrenjasi kufizohet në veri me bashkinë Librazhd, në lindje me Republikën e Maqedonisë, në jug me Bashkinë Pogradec dhe në perëndim me Bashkinë Elbasan. Kryeqendra e Bashkisë është qyteti i Përrenjasit.
Popullsia: Sipas Censusit të vitit 2011, Përrenjasi ka një popullsi prej 24,906 banorësh. Ndërkohë që sipas Regjistrit Civil, kjo bashki ka 33,031 banorë. Bashkia e re shtrihet në një sipërfaqe prej 322.95 km2. Sipas censusit, densiteti i popullsisë është 77 banorë/km2 ndërsa sipas regjistrit civil densiteti është 102.279 banorë/km2.
Kjo bashki përbëhet nga 4 njësi administrative, të cilat janë: Përrenjas, Qukës, Rrajcë dhe Stravaj. Të gjitha njësitë administrative janë aktualisht pjesë e rrethit të Librazhdit dhe qarkut të Elbasanit. Bashkia e re ka nën administrimin e saj një qytet dhe 25 fshatra si më poshtë:.
Prrenjasi: qyteti Prrenjas, fshatrat; Prrenjas-Fshat, Rrashtan
Qukes: fshatrat; Qukës Shkumbin, Qukës Skënderbej, Skroskë, Mënik, Gurrë, Bërzeshtë, Fanjë, Karkavec, Dritaj, Pishkash, Pishkash Veri
Rrajcë: fshatrat; Rrajcë, Sutaj, Skënderbej, Bardhaj, Katjel, Kotodesh, Urakë
Stravaj: fshatrat; Stravaj, Stranik, Farret, Shqiponjë, Sopot
Profili i bashkisë
Bashkia e re e Përrenjasit përfshin sipërfaqe të shumta pyjore dhe burime të bollshme hidrike si dhe një fushë pjellore. Nëntoka është e pasur me krom, ndërkohë që ky mineral shfrytëzohet aktualisht në dy prej fshatrave të bashkisë së re.
Zonat e Rrajcës, Qukësit dhe Stravajt kanë sipërfaqen më të madhe të pyjeve në këtë zonë. Megjithatë, shfrytëzimi pa kriter gjatë dy dekadave të fundit i ka dëmtuar pyjet në një masë të gjerë.
Bashkia e re e Përrenjasit ka një pozicion të favorshëm gjeografik, pasi gjendet fare pranë dy pikave doganore me Maqedoninë. Por ky avantazh nuk është shfrytëzuar deri më sot për nxitjen e sipërmarrjes dhe shtimin e vendeve të punës.
Përgjatë tranzicionit, në këtë zonë kanë munguar strategjitë e zhvillimit. E megjithatë, emigracioni në zonën e Përrenjasit nuk ka qenë i lartë. Kjo pasi shumë banorë të zonës kanë zgjedhur punësimin sezonal në Maqedoninë fqinje, me të ardhurat e të cilëve mbijeton një pjesë e mirë e popullatës.
Në të gjithë bashkinë e re rezultojnë të regjistruara 234 biznese, të cilat e kryejnë aktivitetin e tyre kryesisht në shërbime. Një pjesë e vogël e bizneseve merren me kultivimin e troftës.
Bashkia e Përrenjasit ka potenciale të pashfrytëzuara për turizëm natyror. Me historinë e pasur të zonës së Rrajcës, ku ndodhet shkëmbi i Skënderbeut dhe legjenda për Sofrën e tij si dhe me bukuritë natyrore të Sopotit, zona mund të kthehej në një destinacion për vizitorë vendas dhe të huaj.
Etnografia e pasur me këngët dhe vallet karakteristike të zonës do të ndihmonin për këtë qëllim, por mungesa e infrastrukturës rrugore i bën këto resurse të paarritshme nga turistët.
Sfidat me të cilat do të përballet pushteti vendor pas ndarjes së re
Papunësia mbetet plaga kryesore për banorët e Përrenjasit dhe një sfidë për kryebashkiakun që do të zgjidhet më 21 qershor. Investimet në fasoneri konsiderohen një mundësi e mirë për punësimin e grave të zonës, ndaj nxitja e bizneseve të kësaj fushe duhet të jetë një prioritet për mandatin 4-vjeçar.
Përmirësimi i godinave arsimore si dhe reabilitimi i infrastrukturës rrugore të fshatrave konsiderohet një tjetër sfidë e rëndësishme për zhvillimin e bashkisë së re. Nga ana tjetër, qyteti vuan nga mungesa e ujit të pijshëm, nga ndriçimi i zonave publike dhe nga shërbimi i pastrimit, çështje që kërkojnë gjithashtu një administrim më të mirë.
Por edhe pse Përrenjasi ka probleme të shumta me punët publike, shoqëria civile vlerëson se detyra kryesore e bashkisë së re është mbrojtja e pyjeve dhe mirëadministrimi i aseteve minerare, në mënyrë që këto resurse të kthehen në të ardhura për buxhetin e bashkisë dhe komunitetin.